Veliu, inspektim për zbatimin e masave për fluksin në Morinë

video

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka inspektuar Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar në Morinë, për të parë nga afër zbatimin e masave për përballimin e fluksit.veliu morine 7

Në këtë sezon turistik, Policia Kufitare ka marrë masa shtesë me qëllim krijimin e lehtësirave për shmangien e radhëve të gjata në këtë pikë kalimi kufitar.
Veliu u ka kërkuar punonjësve të Policisë kufitare angazhim maksimal dhe performancë, duke iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor. Ai porositi drejtuesit e Policisë kufitare, që në raste raste fluksi të aplikojnë procedurë të përshpejtuar, por nga ana tjetër të ushtrojnë kontroll në vijën e dytë për të gjitha mjetet që dyshohen për paligjshmëri.
Gjatë bisedës me drejtuesit e Policisë Kufitare Veliu kërkoi që gjatë sezonit veror, shërbimet e policisë qoftë në pikën e Morinës apo edhe në kufirin e gjelbër, të jenë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë inspektimit Drejtori i Përgjithshëm ka takuar edhe punonjësit e Policisë Kufitare të Kosovës.
Mëngjesin e sotëm ka pasur një fluks të madh të qytetarëve kosovarë në drejtim të Shqipërisë, ku vetëm nga Pika e Kalimit Kufitar në Morinë kanë hyrë mbi 5000 shtetas.

Gjatë inspektimit Veliu i është përgjigjur edhe interesimit të medias.
Më poshtë prononcimi i plotë i Drejtorit të Përgjithshëm
Unë gjendem këtu së pari për faktin se tashmë jemi në kulmin e sezonit turistik. Prej fillimit të muajit janar, Morina është vendkalim i organizuar vetëm me një pikë kontrolli, pra ne kemi përgjegjësinë në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ndërsa pala kosovare përgjigjet për hyrjet në Kosovë.
Aktualisht siç e shikoni është ora 7 e mëngjesit dhe është fluksi më i madh i ardhjes së shtetasve kosovarë, të cilët kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri.
Siç e shikoni fluksi është normal, për faktin sepse jemi në procedurë të përshpejtuar. Këtu kalojnë të gjithë qytetarët dhe mjetet që hyjnë në Shqipëri, evidentohen targat e mjeteve dhe me pëzgjedhje, pa dashur që të ulim edhe elementet e sigurisë, por për të minimizuar kohën e pritjes së qytetarëve kosovarë, mjete të veçanta kalojnë në vijën e dytë, duke u ushtruar kontroll i imtësishëm, kur ka elementë, që punonjësi i Policisë në shërbim dyshon që ka elementë për të ushtruar kontroll të veçantë, ndërsa pjesa tjetër vazhdon normale.

veliu morine 1

Çdo ditë në këtë pikë kalojnë deri në 25 000 shtetas kosovarë dhe deri në 4000 makina, pra aktualisht vendkalimi i Morinës, është vendkalimi që përballon ngarkesën më të madhe në të gjithë vendkalimet e Shqipërisë dhe ne kemi vëmendje të shtuar këtu që për të gjithë pushuesit të krijohen gjithë lehtësirat e nevojshme, me qëllim që të minimizohet siç thashë pak më parë, koha e pritjes dhe të vazhdojë lëvizja sa më shpejt drejt vendit tonë.

veliu morine 2

Pyetje:
Zoti Drejtor, në fakt Ministri LLeshaj pak ditë më parë në parlament tha që nuk ka dhe aq kontrolle dhe nuk monitorohet dot situata në kufirin e gjelbër. A ka premisë për një nxitje të trafikut të mundshëm qoftë të lëndëve narkotike, por edhe të armëve apo probleme të tjera që kanë të bëjnë me trafikun ndërkombëtar të paligjshëm?

Veliu:
Organizimi i shërbimit të Policisë Kufitare bëhet edhe nëpërmjet kontrollit të kufirit të gjelbër edhe nëpërmjet kontrollit detar edhe nëpërmjet vendkalimeve ku jemi ne tani, dhe ne kemi shërbime të cilat monitorojnë gjithë kufirin e gjelbër. Nuk mund të absurdizohet që çdo centimetër i kufirit tonë është në kontroll, por shërbimet tona janë në krye të detyrës dhe ne kemi patur elementë të kontrabandës ku shërbimet e Policisë Kufitare kanë evidentuar, kanë bërë bllokime qoftë të lëndëve narkotike apo kontrabandës.
Ashtu si nuk është vetëm Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit përgjegjëse për kufirin, por edhe Departamenti i kufirit me metoda speciale dhe me veprime hetimore janë duke duke hetuar grupe kriminale të cilët nëpërmjet kufirit të gjelbër janë duke kryer paligjshmëri.

veliu morine 3

Pyetje:
Si po funksionojnë patrullat e përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe a janë aq korrekte në fakt t'i qëndrojnë marrëveshjes së nënshkruar mes dy policive, pala kosovare pasi shihet një tendencë sikur janë më të tërhequr pak?

Veliu:

Ne kemi marrëveshje bashkëpunimi jo vetëm me Policinë e Kosovës, por dhe me Policinë e Maqedonisë, po kështu jemi duke implementuar patrullat e përbashkëta në të gjithë territorin e RSH.
Patrullat e përbashkëta janë duke mirëfunksionuar. Në dallim nga vitet e tjera shtrirja e këtyre patrullave nuk është vetëm në qarkun e Lezhës, Shkodrës, Durrësit, por ka zbritur dhe në qarkun e Vlorës dhe ne jemi absolutisht shumë të kënaqur nga ky bashkëpunim dhe këto patrulla janë jashtëzakonisht efiçente.
Faleminderit!

veliu morine 4

veliu morine 5

veliu morine 6

 

Ceremonia e largimit të z. Weiss, Oficer Ndërlidhës i Gjermanisë në Shqipëri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, Oficerit Ndërlidhës të Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën, z. Christian Weiss.Veliu-weiss

I pranishëm në ceremoni zv/Presidenti i Policisë Federale Gjermane z. Jurgen Schubert, i cili fillimisht zhvilloi një takim miqësor me Drejtor Veliun, me fokus forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale Gjermane.

Më pas në ceremoninë e organizuar me rastin e përfundimit të mandatit në Shqipëri të Oficerit Ndërlidhës të Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën z. Christian Weiss, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu e ka vlerësuar maksimalisht atë për gjithë kontributin e tij në mbështetje të Policisë Kufitare, si dhe në forcimin e marrëdhënieve mes Policisë Shqiptare dhe asaj Federale Gjermane.

Veliu:

Së pari më lejoni t'i shpreh mirëseardhjen delegacionit të Policisë federale gjermane që kryesohet nga zv/Presidenti, z. Schubert. Vizita të tilla nga partnerë strategjikë e dashamirës të Policisë së Shtetit, janë një tregues i qartë se jemi në rrugën e duhur.

Për Policinë e Shtetit bashkëpunimi me partnerët është prioritet kryesor dhe kjo është e vërtetuar më së miri, sidomos vitet e fundit në zhvillimin e dhjetëra operacioneve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizimit, ku Policia e Shtetit është vlerësuar me çmime të para për besueshmëri e profesionalizëm.

Policia e Shtetit vitet e fundit, falë filozofisë, vizionit dhe prioriteteve që ka vendosur në punën e saj, ka fituar një mbështetje të madhe nga partnerët strategjikë edhe në fushën e trajnimeve, logjistikës, teknologjisë dhe informacionit, kjo edhe në sajë të bashkëpunimit korrekt me oficerët ndërlidhës të vendeve partnere. Një nga shembujt konkretë është dhe oficeri ndërlidhës i Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën, z .Christian Weiss.

Sot është një ditë e veçantë, pasi kolegut tonë i mbaron mandati dhe do të largohet nga Shqipëria. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Shqipëri, z. Weiss ka ndihmuar Policinë e Shtetit me korrektësi, profesionalizëm, dashamirësi dhe vendosmëri. Ai që prej vitit 2013 ka shërbyer si Oficer Ndërlidhës i Policisë Federale Gjermane për Shqipërinë dhe Kosovën, fillimisht si oficer rezident në Kosovë dhe më pas në dhjetor të vitit 2015, është transferuar në Tiranë, duke ofruar një asistencë dhe bashkëpunim të çmuar në strukturat e Policisë së Shtetit dhe duke i dhënë një hov të ri marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet Policisë Kufitare dhe Policisë Federale Gjermane. Gjatë viteve të shërbimit të tij në Shqipëri, z. Weiss ka asistuar në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të këtyre strukturave dhe të shkëmbimit në kohë reale të informacionit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kriminalitetit ndërkufitar.

Unë jam i bindur se edhe kolegia që po merr detyrën znj. Andrea Geschke, do të tregojë të njëjtin përkushtim e seriozitet për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy Policive. Më lejoni t'i uroj mirëseardhjen dhe punë të mbarë.

Duke përfunduar, i uroj mikut dhe kolegut tonë z. Christian Weiss shëndet e pension të mbarë, pasi me përfundimin e misionit në Shqipëri i përfundon dhe koha e shërbimit në Policinë Federale Gjermane.

Me këtë rast, për asistencën dhe bashkëpunimin e ofruar në Policinë e Shtetit, në përfundim të misionit të tij në Shqipëri, i akordoj “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, me motivacionin:

“Për kontribut të shquar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave të Policisë Kufitare të Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe për asistencën e vyer në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të strukturave të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, duke ndihmuar në rritjen e performancës së këtyre strukturave, në luftën kundër krimit dhe trafiqeve të paligjshme, në interes të forcimit të sigurisë publike.”

Urime e suksese të mëtejshme!

Veliu-weiss1

Jurgen Schubert:

Besoj se marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të mira dhe të tilla do të jenë edhe në të ardhmen. Them që Shqipëria është një vend i sigurt, dhe shqiptarët kanë bërë një punë të madhe në drejtim të menaxhimit të integruar të kufijve. Dhurimi nga Policia gjermane i makinave apo i radiove të policisë dhe pajisjeve të tjera është vetëm një pjesë e kontributit për ju. Për ne është shumë e rëndësishme që të shkëmbejmë informacionin dhe eksperiencën, të cilat do të implementohen në sistemin policor shqiptar. Për ne Shqipëria është e rëndësishme dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Në programin tonë të asistencës në të ardhmen ne kemi tema për Akademinë e Sigurisë, për Policinë Kufitare dhe për departamentet e tjera me të cilat do të na pëlqente të punojmë ashtu siç kemi punuar me z. Weiss për 6 vjet e gjysmë.

Christian Weiss:

Jam shumë i emocionuar. Kam gjetur një miqësi të vërtetë sidomos këtu në Shqipëri. I jam shumë mirënjohës Policisë Federale që më dha këtë mundësi për të hyrë thellë në këto shtete dhe sidomos në Shqipëri. Z. Drejtor i Përgjithshëm, faleminderit për fjalët tuaja të ngrohta, Z. zv/President Schubert faleminderit për fjalët tuaja të ngrohta në adresën time. Ju uroj gjithë të mirat z. Drejtor i Përgjithshëm, zv/President Schubert, juve znj. Andrea dhe për ju kolegë e miq, gjithë të mirat në jetën tuaj private dhe atë profesionale këtu në Shqipëri.

Faleminderit shumë!

Andrea Geschke

Gëzohem që po ju njoh sot. Unë do të jem oficerja e re ndërlidhëse e Policisë Federale gjermane, për Shqipërinë dhe Kosovën. Unë punoj në Polici prej 30 vitesh dhe gëzohem shumë që do të punoj së bashku me Policinë shqiptare. Jam e sigurt që së bashku do të jemi të suksesshëm dhe gëzohem që do të njoh këtë vend të bukur.

Arkiva

Maj 2021
He Ma Me En Pr Sh Di
26 27 28 29 30 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31 1 2 3 4 5 6