Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 shtator 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.  01drejtoria new

Fier - Policia godet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni antidrogë i koduar "Cakrani". Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier. Sekuestrohen 57 kg kanabis, 1 armë zjarri dhe municion luftarak. Policia arreston në flagrancë 2 shtetas dhe shpall në kërkim 2 të tjerë. Në kuadër të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, si edhe mbi bazën e informacioneve të mara në rrugë operative, nga ana e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, është organizuar dhe finalizuar operacioni "Cakrani". Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit N. D., 61 vjeç, banues në Cakran dhe J. D., 47 vjeç, banues në Cakran. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasve M. D., 38 vjeç dhe D.D., 24 vjeç. Nga kontrolli i ushtruar në banesat e tyre në fshatin Cakran, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 57 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis, një armë zjarri dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake".

Rinas - Riatdhesohen 104 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në BE apo kishin kërkuar azil. Një tjetër operacion riatdhesimi i shtetasve, që kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen, është finalizuar ditën e sotme në bashkëpunim me Francën, Belgjikën dhe Gjermaninë. Mesditën e sotme nëpërmjet dy charterave nga Franca dhe Gjermania, në kuadër të fluturimit të përbashkët evropian organizuar nga Franca, Belgjika dhe Gjermania në bashkëpunim me FRONTEX, si dhe me mbështetjen e eskortës shqiptare, u riatdhesuan 104 shtetas shqiptarë, nga të cilët: 15 shtetas nga Franca, 5 nga Belgjika dhe 84 nga Gjermania. Operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme dhe në këtë kontekst, Policia e Shtetit apelon edhe një herë të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe të mos provojnë të kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero. Në pikat e kalimit kufitar, Policia Kufitare do vijojë të aplikojë masat shtesë të marra për parandalimin e azilkërkimit, duke vijuar me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil.

Tiranë - Kontrolle për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Kontrollet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, Seksionin e Forcës së Posaçme “Shigjeta” e “Shqiponja”. Gjatë orëve të fundit goditen dy raste të shpërndarjes së lëndës narkotike, ku 3 persona janë vënë në pranga dhe 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar në total në cilësinë e provës materiale 53 doza me lëndë të dyshuar kanabis, gati për shpërndarje. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, Seksionin e Forcës së Posaçme “Shigjeta” e “Shqiponja” në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, ka ushtruar kontrolle në zona të ndryshme të qarkut Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Shërbimet e Komisariatit Nr. 3 në rrugën “Dritan Hoxha”, u arrestuan në flagrancë shtetasit B. Gj., 29 vjeç, banues në Tiranë dhe K. A., 25 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve, në rrugën “Dritan Hoxha”, shërbimet e policisë iu gjetën 19 doza me lëndë të dyshuar kanabis. Këta shtetas për shitjen e lëndës narkotike me bazë porosie, në katin e parë të një pallati, shfrytëzonin pjesën e jashtme të murit të një bilardoje, ku mbanin dhe linin për shitje lëndën narkotike. Gjithashtu në vijim të kontrolleve të ushtruara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shigjeta” e “Shqiponja”, në rrugën “Petro Marko”, u arrestua në flagrancë shtetasi K. D., 25 vjeç, banues në Tiranë (me precedentë të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve). Gjithashtu është proceduar në gjëndje të lirë shtetasi: D. A., 31 vjeç, banues në Tiranë. Në rrugën “Petro Marko”, këta dy shtetas kanë qenë duke qëndruar së bashku dhe në momentin që shërbimet e policisë janë afruar për kontroll shtetasi K. D. ka hedhur në shkurre një qese me 34 doza me lëndë të dyshuara kanabis. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 2 janë ndalur dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Fier dhe 2 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lire.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 4 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Durrës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Arkiva

Dhjetor 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
25 26 27 28 29 30 1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31 1 2 3 4 5